NATYRA

Rubiku, qyteza mes mistereve dhe pasurive

Pasi kalon Urën e Milotit, hyn në luginën e bukur të Fanit, ku shfaqet Kisha e të Shëlbuemit, vendosur mbi kepin e bardhë të Rubikut, njëra ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet monomente të kulturës kombëtare, e cila daton të jetë ndërtuar tej vitit 1200. Kështu, Rubiku hyri në histori për kuvendin e mirënjohur benediktin, deri në gjysmën e dytë të shekullit që lamë pas, ku emri i këtij qyteti u lidh me nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Mbi qytetin e vjetër u ndërtua qyteti i ri i minatorëve, metalurgëve dhe gjeologëve. Të parët që zunë vend këtu qenë minatorët, në vitet `30-të, kur nisën punimet në minerën e bakrit prej një firme italiane. Më pas, aty u ndërtua Uzina e Përpunimit të Bakrit, që siç pohojnë specialistët e industrisë, ishte njëra ndër katër më të zgjedhurat në Evropë. Njëra prej fabrikave të kësaj uzine prodhonte ar. Fatkeqësisht, sot, kjo uzinë nuk është gjë tjetër veçse një varrezë hekurishtesh edhe pse oxhakët e saj akoma të impresionojnë. Përballë saj hodhi shtat qyteti i Rubikut, i cili rritej bashkë me zhvillimin industrial.

Sipas historisë, Rubiku është pikasur prej mineralkërkuesve që herët. Aty nga fillimi i viteve `30-të, grupi i mineralkërkuesve bëhet nismëtar i ngritjes së një industrie të re, asaj nxjerrjes dhe shkrirjes së bakrit. Fillimisht, kanë qenë firmat mineralkërkuese italiane ato që ndërtuan bërthamën e parë. Më pas, sovjetikët, kinezët…E kush nuk vuri dorë në ngritjen e industrisë më të rëndësishme për bakrin në vend. Në Rubik, u prezantua e para industri shkrirëse në vend. Jo rastësisht, por, sepse aty gjendej vërtet ai, bakri, ari dhe argjendi, të përzier së bashku. Harta gjeologjike këtu kishte pikasur nën dhè një pasuri të madhe në tokën e Mirditës, ku që herët kishin jetuar përpunues të bakrit, Pirustët.

Kjo industri që mbajti me bukë qindra familje mirditore, sot dihet që po jeton grahmat e saj të fundit dhe çdo ditë po shkatërrohet barbarisht, pa të ngjallur shpresën se një ditë mund të rikthehet koha e artë. Asnjë projekt nuk ekziston për riaftësimin e saj nga Ministria e Industrisë dhe Energjitikës. Pas viti 1990-të, objekte të rëndësishmë të metalurgjisë shkrirëse u lanë pa asnjë shërbim dhe kështu, të gjitha objektet filluan të degradojnë duke u bërë të papërdorshme pompat, vinçat, rripat e transmisionit dhe gjithçka tjetër. U vodhën makineritë dhe gjithçka vlente. Prej vitesh, ambientet që dikur gjallonin nga lëvizja, qëndrojnë të braktisura tërësisht. Tani flitet për likuidimin e plotë, domethënë për fshirjen e saj nga faqja e dheut, edhe pse nëntoka e Mirditës ka ende tonelata mineralesh, kurse mbitoka dhjetëra miniera. Qytetet këtyre anëve kanë lindur nga zhvillimi i industrisë. Dikur, Rubiku kishte një minerë nxjerrëse, një uzinë përpunuese të bakrit dhe njërën nga ndërmarrjet më të mëdha gjeologjike në vend. Edhe Rrësheni, qendra administrative e rrethit të Mirditës, kishte një fabrikë pasurimi. Repsi mblidhte bakrin e Spaçit, Gurthit, Majës së Madhe dhe e pasuronte në dy fabrikat e pasurimit, ndërtuar njëra pas tjetrës në këtë qytet që ishte ngritur falë industrisë nxjerrëse dhe përpunuese pas vitit ’65-së.

Një tjetër qytet që ka hedhur shtat si rrjedhojë e vlerave minerale është Fush-Arrëzi, ku gjithashtu kishte minerë dhe fabrikë të pasurimit të bakrit. Dhe një tjetër buzë Valmorit, Qyteti i Kurbneshit.. Por, veç qyteteve të mirëfillta ndër male, kishte dhe dhjetëra qyteza të minatorëve dhe gjeologëve. Po kështu, në Qaf-Vorrez, Kalor, Xhazuj, Perlat, Maja e Madhe, Munella, Mashtërkori. Qytete dhe qyteza që lindën bashkë me zhvillimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të bakrit dhe bashkë me të viqën ose vazhdojnë të japin grahmat e tyre të fundit. Minierat, fabrikat, uzinat, ndërmarrjet gjeologjike iu ishin qepur maleve të Mirditës për të zbuluar zemrën e tyre të artë, u jepnin jetë këtyre qyteteve, që tashmë pothuajse të gjitha kanë vdekur, ose vdesin bashkë me harresën ose humbjen e interesit për bakrin. “Minerat po shemben përditë, po groposen mijëra ton minerale”, – pohojnë specialistët e bakrit. Shembjet nëpër galeri i kanë kthyer ato në të pashfrytëzueshme. Po ashtu, fabrikat dhe uzinat shkatërrohen çdo ditë. Qindra punëtorë të minerave, fabrikave dhe uzinave të Mirditës mbetën pa punë. Gjallëria e qyteteve u zbeh dhe filloi të marrë jetë varfëria dhe skamja, papunësia dhe një kollë e thatë vdekjeprurëse. Filluan të japin grahmat e para minatorët dhe vdekjet e njëpasnjëshme zunë fill këtyre anëve.

Qytetet që i lindi industria e bakrit nëpër Mirditë, sot jetojnë me asistencë dhe me përkrahje sociale. Qytetet fillimisht jetuan ditët e ikjeve të mëdha. Kurbneshi ishte qyteti i parë, ku filluan prishjet masive. Fillimisht, u prish fabrika më e vjetër e pasurimit të bakrit në Shqipëri, dhe pse projektuesit e saj kishin parashikuar që një ditë ajo të kthehej në fabrikë çimentoje. Në këtë qytet, filluan me ritme të shpejta të vdesin institucionet shtetërore, më pas filluan të prishen pallatet nga tre deri në pesë kate, vetëm për t`iu marrë tullat. Kështu makinat, që dikur transportonin mineral, tani transportonin tullat që merreshin nga shembja e qytetit, nga shembja e pallateve nga tre deri në pesë kate. Derisa puna arriti atje, ku sipas kryetarit të Komunës, N. Lleshi, 75 për qind e popullsisë merr përkrahje sociale. Vetëm 62 punonjës janë të stabilizuar në punë shtetërore. E njëjta gjendje ekziston në Reps, e cila është qendra e Komunës së Oroshit. Kjo zonë e thellë malore ka vetëm se 257 hektar tokë që duhet të mbajë më shumë se 1274 familje. Në këtë komunë, rreth 60 për qind e banorëve kërkojnë të shpërngulen. Më parë, kanë vdekur qendrat e punëtorëve në Qaf -Vorrez, u zhduk qendra e punëtorëve në Gurth-Spaç, nuk ka mbetur asgjë nga qendra e gjeologëve në Mashtërkor. Është zhdukur qendra e punëtorëve në Kalor e në Xhazuj. Kështu po vdesin përditë qytezat dhe qytetet e ish-minatorëve. Kështu po braktiset përditë treva e Mirditës dhe numri i popullsisë nga 53 mijë banorë që kishte në vitin 1990-të, sot ka zbritur në afro 30 mijë, pra, 23 mijë banorë janë zhdukur, duke përdorur gjithfarë mënyrash dhe metodash.

Në bazë të shifrave zyrtare, 3050 familje në trevën e Mirditës jetojnë vetëm me të ardhurat e përkrahjes sociale. Qindra prej familjeve mirditore kanë emrin në listat e gjata të borxheve, në dyqanet e miellit dhe të bukës. Afro 50% e popullsisë së qytetit të Rrëshenit, që është qendra administrative e rrethit, kërkon punë dhe është regjistruar pranë zyrës së punësimit si punëkërkues. Një mijë familje janë pa çati, edhe pse një pjesë e tyre që prej 30 vjetësh kanë emrin dhe statusin e të pastrehëve, edhe pse kanë jetuar 30 a më shumë vjet në Rrëshen, kurrë nuk kanë mundur të bëhen me një shtëpi banimi. Që nga viti 1990-të, nuk është dhënë asnjë fond për ngritjen e apartamenteve të banimit për familjet e pastreha, ndërsa Enti Kombëtar i Banesave as qe ka pasur ndonjë projekt konkret për zbutjen e kësaj plage…Asnjë lek për këtë çështje, për Mirditën

Bashkë me qytetet po vdesin dhe minatorët e njerëzit e nëntokës së Mirditës, shumë prej të cilëve në moshë të re. “Sëmundja e silikozës është e përhapur kudo nëpër Mirditë dhe kjo vjen nga përmbajtja e kuarcit në mineralin e bakrit. “Nëpër miniera është punuar me shpim të thatë, kështu që pluhuri ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në ditë, ua bën të pamundur frymëmarrjen, derisa ua ndërpret atë duke u shkaktuar vdekjen”, – pohojnë mjekët. Sipas drejtuesve të sindikatës së minatorëve, afro 500 vetë kanë vdekur nga kjo sëmundje në një kohë që lista u përket viteve të fundit dhe vdekjet vazhdojnë pa ndërprerje që në moshën 40-45-vjeçare. Kështu, qytetet e bakrit plaken rrudhen dhe vdesin bashkë me industrinë që i ngriti ndër male, ku thuhej se para vitit 1990-të, ishte njëri ndër rrethet me standardet më të larta të jetesës në vend.

Rrugët nëpër shumë fshatra mungojnë. Zonat e thella dimrit bllokohen nga bora. Varfëria shtohet. Pasuritë e Mirditës rrugëtojnë gjithnjë jashtë saj. Edhe pse nëntoka dhe mbitoka e kësaj treve është aq e pasur, makina pafund, ngarkuar me lëndë drusore, rrugëtonin nga Mirdita në drejtim të Durrësit, Fierit, Lushnjës e gjetkë, derisa një ditë, dhe ajo duket se ka mbaruar.

Misteri i Rubikut

Mijëra vjet më parë, në trevën e Rubikut thonë se ndryshku i kuq shfaroste njerëzit, mbyste bagëtitë dhe dëmtonte të mbjellat. Ishte hyjnesha Robiko, ajo që i shpëtoi banorët nga kjo murtajë e kuqe. Tash, ritualisht, çdo pranverë, banorët e kësaj zone festojnë ditën e Shelbuemit. Presin një ka, një dash dhe i nxjerrin njeri-tjetrit verë të kuqe, për të kujtuar hyjneshën Robiko.
Dhe jo rastësisht, edhe emri Rubik i këtij vendbanimi, e ka origjinën pikërisht nga kjo perëndeshë e lashtë pagane. Gjendemi sërish në të njëjtin vend. Majë një shkëmbi të bardhë, prej gati 900 vjetësh, banorët vendas ndërtuan një prej kishave më të mëdha të asaj kohe. E pagëzuan me emrin Shelbuem, duke i dhënë emrin e festës, në përkujtim të hyjneshës. Edhe kisha ka legjendën e saj.

“Sipas gojëdhënave, ndërtimet që ishin bërë në një vend tjetër, prisheshin nga pëllumbat që merrnin materialet gurët, trarët dhe i sillnin në shkëmbin ku aktualisht ndodhet kalaja”, tregon Bardhoku, një banor i zonës. Sipas historianëve, Kisha e Shelbuemit është ndër më të vjetrat në Ballkan. Ajo është aty qysh prej vitit 1162. Por, studiuesi Gjon Marku thotë se kjo godinë qëndron mbi shkëmbin e bardhë, e bukur dhe rrezatuese, qysh prej kohëve ilire, e pacënuar nga rrebeshet e shekujve.
“Rrënjët e Rubikut duhen kërkuar më tej, kjo do të thotë se duhen kërkuar që në kohën e Justinianit ndoshta kur kemi edhe kisha të tjera paralele si ajo e Shirqit në Shkodër dhe kisha e Vikut në Mirëditë”, tregon Gjoni. Është e dielë. 900 vjet pas pagëzimit të Kishës së Shelbuemit, banorët vendas vijnë në meshën e bardhë të së dielës.

“Kjo kishë ka një kujtesë të veçantë sipas breznive të njerëzve. Kjo i kërkon Rubikut kohët e lashta kur këtu ishin misionet për të krishterët dhe jeta e murgjëve që mendohet se kanë qenë këtu dhe më pas e fretërve françeskanë që vjet kanë bërë 800 vjetorin e pranisë së tyre në të gjithë botën, por në këtë vend datojnë qysh në 1240-n”, tregon Frat Sokoli.
At Shtjefën Gjeçovi qëndroi dhe shkroi në kolegjin e Kishës së Shelbuemit pjesë nga vepra e tij e famshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Diku, në një gur të këmbanores, ai ka gdhendur edhe emrin e bukur Mirditë. Këtu, qëndroi dhe ndërtoi absidën e kishës edhe Gjergj Fishta, i cili shkroi këtu fragmente nga tragjedia e tij “Juda Makabe. Shërbeu gjer në fund të jetës dijetari, etnologu dhe folkloristi i njohur Bernardin Palaj. Por, edhe piktori At Leon Kabashi, i cili me art veç afreskëve të kësaj kishe, kishte pikturuar më parë edhe kapelat e kishave të Shkodrës. Sot, afresket mahnitëse të piktorit mirditor Kabashi, fatkeqësisht, janë dëmtuar ose janë lënë në harresë të plotë.

Rrënojat e vjetra të kolegjit të dikurshëm françeskan pranë kësaj kishe, ekspozojnë dhimbshëm indiferencën tonë ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për objekte dhe treva, ku historia risjell në kujtesë, pjesë të identitetit dhe ndërgjegjes sonë kombëtare.

“Në këto territore ka ekzistuar principata e Arbërit dhe në këtë vend nuk ka pasur asnjë lloj pushtimi. Këtu është përdorur për herë të parë fjala komb të cilën e kemi të datuar”, pohon Gjoni. Mesha e së dielës mbaron. “Ju nimoftë!…” është urimi që i bëjnë njeri tjetrit dhe grupit tonë të xhirimit banorët vendas. Të cilët, kishën e Shelbuemit e besojnë si një vend të shenjtë.

Shëlbuemi, si po shuhet tempulli i moçëm i Rubikut

Një nga monumentet më të famshëm të kultit dhe të kulturës mesjetare në Rubik. Aty ku rrezikohet kisha monumentale e Shëlbuemit

Çdo udhëtari që merr udhën për nga Miloti, kalon urën monument me harqe, që sot e 80 vite mban emrin e mbretit Zogu i Parë, për të vijuar luginës së Fanit, tutje ku bashkohen Mati me lumin Fan, një luginë që ditarmbajtësi dhe shkrimtari Fabian Barcata, një famullitar i njohur austriak i nëntëqindës e ka quajtur si “ma të bukurat e botës”, në të hyrë të Rubikut, syri të zë mbi një shkëmb të bardhë një nga kishat më monumentale në Shqipëri, atë të Shëlbuemit. E vendosur mbi një shkëmb gjigant të bardhë, duket se mbahet në gjirin e një prej maleve më të epërm të Shqipërisë së Veriut, formësuar i tërë në shkëmbenj të bardhë, të grish si mister të ngjitesh atje lart. Padyshim, tërë kuvendi atje, përbën një nga komplekset më të bukura që ka vendi ynë, në sfondin që ai krijon, qoftë si kompleks kishtar, por dhe turistik.

Por kur vë këmbën atje lart, vërehet se shumë gjëra nuk shkojnë mbarë. Sapo kalon portën pa roje, asgjë nuk pipëtin, askush nuk rri atje, duket sikur muret e moçme që kanë rrethojnë brenda tyre mijëra vjet histori, flasin me vete, ndërsa rënkojnë nën peshën e kohës dhe degradimin dita-ditës.

Bashkia e qytetit, është i vetmi institucion që është interesuar për këtë kompleks të rrallë, duke rregulluar rrugën me një donatim buxhetor, është ndërhyrë në ndriçimin e saj, ndërsa nga misionarja austriake Marianne Graf u financua për Udhën e Kryqit dhe disa ndërhyrje në pjesët e brendshme si dhe vënien e një obelisku, mishërim i simbolit të bashkëjetesës ndërfetare. Ndryshe nga Elbasani a rajone të tjera, ku simbolet fetare kanë sjellë ngatërresa, këtu në majë të shkëmbit që kundrohet kilometra të tërë larg, edhe pse ka një popullsi homogjene katolike, do të vendoset ky obelisk multifetar, i qarkuar nga një ndriçim i larmishëm që në mbrëmje i jep madhështi këtij vendi.

Nga ana tjetër, vetë misioni françeskan me qendër në Shkodër, nuk ka treguar as kujdesin më të vogël. Nëse për Kishën e Shna Ndout në Kurbin ku peligrinojnë mijëra vetë që kërkojnë ndihmën e shenjtit në jetën e tyre, e ku arka mbushet nga të hollat e dhuruara, këtu askush nga misioni franceskan, nuk është kujtuar. Më e shumta kujtesë është ndonjë meshë të dielash dhe kaq. Askush nuk rri këtu, as misionarë a rregulltarë, ndërkohë që para 1967, vit kur u shemb kuvendi, ka patur misionarë, rregulltarë e murgj si dhe shkolla e përmendur për fretër.

Shkrepi i Rubikut

Futja në rrjedhat rrëfyese të romanit “Lule” që para 100 vitesh shkroi mbi këta shkëmbenj të bardhë Fabia Barcata, është vërtetë befasuese, me përshkrimin që ai i bën vendit ku do të zhvillohen ngjarjet dramatike, që kanë lidhje me fatin e një vajze malësore, të pastër si drita e një qielli të kthjellët, Lulen, por që pikësëpari sjell në vëmendje të studiuesve dhe për udhëtarë të huaj doket dhe zakonet ndër shqiptarët e viseve të Veriut.
Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njenin nga tjetri tue përbamë në këtë mënyrë një luginë të vogël me nji kunorë malesh rreth e përqark. Në mes kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me pamje të madhnueshme. Erdhën pastaj njerëzit, panë se atje ishte nji vend i bukur banimi, dhe themeluen mbi shkrep shtëpinë e vet të thjeshtë. Atje nalt jetuen e vdiqën brez pas brezi.

Ma vonë erdhi një popull pushtues, thadroj në majë të shkrepit shejet e veta pushtimi me shqipet fitimtare të legjioneve ushtarake, bani forcime të ndryshme, themeloi mure vigane me pirgje e frengji, në atë mënyrë sa mali u ba nji fortesë romake e papushtueshme. Por dhe vetë madhnia e Romës ra dhe u shkatërrue. Muret u rrëzuan dhe njerëzit u zhdukën. Rubiku ngeli si andërr, ngeli i harruem nga të gjithë, deri sa prej viseve të largta erdhën disa njerëz të përshpirtshëm pa pushkë e pa top, kjo çerdhe u pëlqeu atyne. Mbi rrënimet e bamuna nga kamba pushtuese ngritën përmes lutjeve që i naltojshin Perëndisë, nji Kishë e nji Kuvend. Pastruen dhe rregulluen pyllin, e dlirën nga gjaja e egër dhe e rrezikshme; livadhe dhe ara bleruan nga duert e tyre kujdestare dhe vunë rreth e qark shumë bimë të bukura e të dobishme.

Këso dore qe Abacia e Benediktinëve të Rubikut. Kaluan me qinda e qinda vjet. Mbas zhgunit të zi erdh zhguni i murrmë: Benediktinët u zëvendësuan prej Françeskanëve. Këta tue ndjekë gojëdhënat e të parëve të vet, u përpoqën, vuejtën, u salvuen për të mirën e të mbarën e popullit të Shqipnisë.

Prap kapërcyen qindra e qindra vjet, deri sa erdhi ora e zezë për tokën dhe popullin shqiptar. Ushtri turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plaçkit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue e tue zezue. Prapë vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh. Vetëm kisha ngeli e papërkitun. Përsëri kaluen katërqind vjet dhe prapë në Rubik gjindet një murg, i cili mundohet e përpiqet me ngjallë nji jetë të re mbi ato rrënoja….

Rubiku sipas mitologjisë greke

Ndue Dedaj, studiues vendas, në librin e tij “Toka e katedraleve” na çon në historinë e largët të këtij kuvendi, në një version mitologjik grek. Me këtë kishë duket se është i lidhur dhe emri i Rubikut vetë, një qytet i vogël verilindor sot. Sipas mitologjisë greke hyjnia Robigo ka qenë hyjnia që personifikonte ndryshkun, një sëmundje që prekte drithërat. Për nder të saj në këto anë bëheshin dhe festa, ku njerëzit i luteshin asaj që ta largonte ndryshkun nga drithërat. Në ato festa që ishin themeluar nga Numa Pompili e që organizoheshin me 25 prill, hyjnisë i thernin një buçë të kuqe, një dele dhe i blatonin verë. Mirëpo këtë perëndi në Rubik duhet ta ketë sjellë jo ndryshku i drithërave, po ai i tokës që ishte për shkak të mineralit të bakrit. Shpesh ujërat e tij acide i thanin bimët që në rrënjë. Kështu mund të ketë mbetur në këtë vend emri hyjnor Rubik, ashtu siç ekziston dhe ndonjë version tjetër.

Por nëse në Rubik nuk qe ulur ndonjë hyjneshë e bukur e ndryshkut, nuk pati ndodhur e njëjta gjë me shenjtorët e dishepujt e tyre, që patën themeluar në hershmëri një nga tempujt me të njohur të Krishtërimit në Shqipëri. Vetëm një çudi do të kishte mbase në kishën qindravjeçare të Shëlbuemit në fillim të këtij shekulli nuk do të lejohej ta vizitonte atë mbretëresha e pakurorëzuar e shqiptarëve, Miss Edit Durham, që vinte me kalin e saj të lodhur brigjeve të Fanit. Kjo grua fisnike nuk do të jetë zemëruar nga ky fakt duke e njohur jetën e rregulltarëve. Objekt i saj me siguri duhet të ketë qenë vëzhgimi nga afër i njërit prej monumenteve më të famshëm të kultit dhe të kulturës mesjetare dhe Rubiku ka qenë njëri nga të katër kuvendet benediktine të Mirditës.

Historia dhe arkitektura

Vendosur mbi këtë shkrep të bardhë të Rubikut, dallohej një kompleks kishtar modern me kishën, qelën famullitare, kolegjin, kumbanoren, rezidencën verore dhe jo pak mjedise të tjera, ndërtuar me një arkitekturë të rrallë, me paraqitje të brendshme grafike artistike (afreskët). Objektet janë restauruar shpeshherë. Kompleksi kishtar ishte vendosur në një ballkon natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut në masivin dekorativ të Gurit të Bardhë. Në tërësinë e vet, një vepër arti unikale, një pikë turistike e preferuar dhe mbi të gjitha, një monument kulture i veçantë. Aty ka shkruar papushim Gjeçovi shkencëtar, i cili në njërin nga gurët poshtë kishës ka gdhendur emrin e tij; aty ka rrjedhur muza e Fishtës poet, janë mbushur fletët e ditarit historik të At Pal Dodaj, famullitari austriak Franz Barcata do të hidhte shënimet për 10 vite në ditarin e tij të rrallë, apo do të nxirrte nga duart punime të papërsëritshme Leon Kabashi, piktor. Aty do të pritej me madhështi Prend Doçi pas kthimit nga mërgata e gjatë politike në vitin 1888.

Nisur nga stili i ndërtimit është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Ipen, përcakton vitin 1272. Studiuesi Dedaj thotë se historianët, nëpër ravgimet e Mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166. Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristikë vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhja e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.”

Farlati, nga ana e tij, njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë. Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit.

Me emrin dhe veprën e prelatëve të përvujtë e zëmërdhenjtë françeskanë është i lidhur çdo ndryshim dhe progres në historinë e këtij vendi sa të lakmuar për pozitën gjeografike dhe prirjen e njerëzve për qytetërim, aq të vështirë për ta kryer këtë mision për shkak të varfërisë, luftërave etj.

Si vlerë historike, kisha e Shëlbuemit të Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer te At Fabian Barcata. Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, të vitit 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i Mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gur të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefën Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës.

Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar, trim e atdhetar Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durham dhe i bëri një portret më të fisëm se të lordëve të Anglisë. Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me predikimin e tij të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqindvjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja e Judejve, që në popull njihej si e gjodhive.

Korrik 19, 2018 / by / in ,
Mirdita, virgjëresha malore me bukuri të rralla

Mirdita, një nga krahinat më të virgjëra dhe më të bukura në Shqipëri, me pasuri të gjithanshme mbi e nëntokësore, me burime dhe klimë malore të lakmueshme, me florë e faunë të pasur, fton e pret miq, siç di të presë ajo. Autostrada Durrës-Morinë, rreth 70 km të së cilës përshkojnë mes për mes territorin e Mirditës, është edhe një shans që krijon mundësi për shfrytëzimin e resurseve turistike malore që ka Mirdita. Gjithashtu veprat e shumta të artit, i japin bukuri të rrallë gjithë luginës së Fanit të Vogël që e përshkon….

Prill 27, 2018 / by / in