+ 23°C
Mirdita Turistike

Kisha e Rubikut

Kisha e Rubikut

Kisha e Manastirit të Rubikut është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Mirditës.

Kisha e Rubikut

Kisha e Rubikut ndodhet mbi nje koder shkembore ne qytetin industrial te Rubikut kisha perfaqeson nje objekt te rendesihem kulti te shek XII- XIII Ka perfunduar se ndertuari ne vitin 1272. Vlere unikale e saj jane afresket, piktura murale te stilit bizantin. Godina eshte monument kulture dhe paraqet interest e aspektin ndertimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka sherbyer si abaci benedikte dhe kuvend françeskan.

Pas pak kilometrash të përshkruara tej Urës me Harqe, ndërtuar në kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut, vizitori para se të shquajë plotësisht qytetin e vogël të Rubikut, mbi një shkrep të bardhë të veçuar, siç thotë një famullitar austriak i viteve 1900 “si të ishte venue nga dora e ndonjë vigani të madh”, shfaqet madhështore Kisha e të Shëlbuemit e Rubikut. Ka një pamje impozante, majë atij shkrepi dhe kundrohet disa kilometra larg në të hyrë dhe në të dalë të qytetit të Rubikut. Kisha është shumë e përmendur dhe daton që para 900 vjetësh si kuvend benedikti, më pas kalon në duart e françeskanëve. Edhe pse është rrënuar disa herë në luftëra të ndryshme, është ringritur sërish për të ardhur si dëshmi e një tempulli të shenjtë nga më të moçmit e vendit tonë. Një kompleks kishtar modern, me kishën, qelën famullitare, kolegjin, kambanoren, rezidencën verore, paraqitje të brendshme artistike (afresket), etj. Në një shkëmb të kishës ka gdhendur emrin e tij Gjeçovi, por ka rrjedhur dhe muza e Gjergj Fishtës poet, si dhe dëshmi e ditarë historikë nga priftërinj të huaj dhe shqiptarë, por aty ka shërbyer dhe prifti atdhetar Prend Doçi, abati i njohur. Kjo kishë si monument i hershëm i kulturës romanike dëshmon vlerat më të mira autentike të hershmërisë së Krishtërimit ne Mirditë e më gjerë.

Nisur nga kjo dhe pozicioni i vendosjes si përmbi një ballkoni natyror, dhe për faktin tjetër që m’u në këmbë të këtij shkrepi, ishte ideuar dhe përvijuar projekti i korridorit të Veriut, Durrës-Kosovë, që rri mrekullisht përfund luginës së quajtur si “një ndër më të bukurat e botës”, (bëhet fjalë për luginën e Fanit), në rrethe të ndryshme intelektuale a të tjerë qarkulloj ideja që në atë pozicion aq interesant dhe dominues me shikueshmëri në një perimetër të largët të vendosej një kryq gjigant fosforishent, çka do të dëshmonte dhe besimin homogjen të kësaj krahine, katolicizmin. Sepse, në vetvete, kisha këtu, ashtu si dhe të tjera, në majë të saj ka një kryq jo dhe aq të dukshëm në largësi. U përvijuan disa projekte, por në fund fitoj projekti i vendosjes së një simboli multifetar, në mbështetje të idesë dhe të humanistes së njohur austriake Marianne Graf dhe të kryebashkiakut të Rubikut, Mark Ruçi. Kësisoj më 1 shtator 2005, në mjediset e kishës monumentale të Shëlbuemit u organizua një ceremoni e madhe festive për përpunimin e Shenjës së Përbashkët të PAQES së FEVE ABRAHIMITE, i pari monument i tillë në Ballkan. Përndryshe quhej “Guri i Shpresës me Kupën e Jetës”, realizuar me pëlqimin dhe mbështetjen edhe të presidentit të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Angelo Massafra, komunitetit ortodoks, kryesuar nga prof. dr. Janullatos, Komunitetit Mysliman, kryesuar nga H. Selim Muça dhe Komunitetit Bektashian, kryesuar nga Shenjtëria e tij Haxhi Dedë Reshat Bardhi. Besimtarë të shumtë iu drejtuan kishës së moçme monument të Shelbuemit, me histori mbi 900-vjeçare, nëpër Udhën e Kryqit, e cila u bekua nga administratori apostolik i dioqezës Rrëshen (sot ipeshkëv), shoqëruar dhe nga përfaqësues të katër bashkësive fetare shqiptare. Bekimi i Udhës së Kryqit me ndalesat e apostujve,  një ceremonial festiv me përshëndetjen e të gjithë autoriteteve fetare shqiptare dhe si epilog i veprimtarisë qe përurimi i “Gurit të Shpresës me Kupën e Jetës”. Ç’përfaqëson ky simbol? Është një kupë e madhe uji, në bazamentin e së cilës janë skicuar tri shenja: kryqi si shenjë e identitetit kristian, pishtari shtatë degësh, menora si shenjë e identitetit çifut dhe gjysmëhëna si shenjë e identitetit mysliman. Këto janë shenja të mbështjella nga uji, i cili në të tria fetë luan një rol qendror dhe që mishëron forcën simbolike më të lartë. Si për Krishtërimin ashtu dhe për Islamin dhe Judizmin, uji shikohet si substancë për bekimin dhe për lindjen e jetës së re ose të ripërtëritur. Në buzë të kupës janë gdhendur linja që formojnë një kryq rrezesh. Të drejtuara në të gjitha anët e qiellit ato duhet të jenë ndihmë për orientim dhe në momentet e meditimit duhet të jenë vija lidhëse me qytetet botërore me rëndësi fetare, por dhe me vendet e lidhura ngushtë me Shqipërinë dhe me qytetet me numër të madh emigrantësh shqiptarë. Kupa është e vendosur mbi një bllok betoni, i cili në të katër faqet tregon një fëmijë, një kafshë, një bimë, tokën dhe ujin. Së bashku figurat konkretizojnë tërësinë e krijimit.
Trajtimi me respekt dhe ruajtja e tij është detyrë e të gjithë njerëzve, thotë Graf, pavarësisht se cilës fe i përkasin dhe pavarësisht nga botëkuptimi që ata përfaqësojnë. Dhe për këtë ai ka nevojë gjithashtu për përpjekjet politike dhe të gjitha forcat kulturore, sepse mbijetesa jonë është e varur nga marrëdhënia jonë e kujdesshme me planetin Tokë. Vetëm me përkushtim të Përbashkët mundet të krijojmë bazamentet e Paqes mbi Tokë, të cilat janë drejtësia, liria, të drejtat e njeriut dhe ruajtja e krijimit. Vetëm me zë të përbashkët, të thurur nga meloditë gjuhësore të pikëpamjeve më të ndryshme është e mundshme t’i dërgojmë Botës mesazhin: bashkëjetesa është e mundshme, vetëm kjo siguron mbijetesën tonë! “Ndoshta, thirrja nga Shqipëria”, thotë me bindje humanistja austriake Marianne Graf, “do të dëgjohet, dhe lajmi i pikës së meditimit do të përhapet me vijat e orientimit në kupën e jetës në të gjithë botën, dhe atje, ku armiqësia dhe urrejtja duken të papërballueshme…”.

Sërish histori

Duke u udhëtuar më tej, mes për mes Mirditës homogjenisht katolike, nuk para bien në sy kryqe, që mbase këtu do të ishin më të shumtat, edhe për një fakt tjetër, sepse këtu mes për mes Mirditës, shumë shpejt do të kalojë dhe korridori i Veriut, ku do të shtegtojnë njerëz të feve të ndryshme, sidomos kosovarë, ndaj nuk është parë si e udhës të mbushen malet me kryqe. Kur në fakt mund të ishin vendosur të tillë gjithandej. Sepse ka njëmijë arsye për ta bërë këtë, qoftë dhe duke vështruar historinë e saj.Mirdita, në shtrirjen e saj gjeografike, jo vetëm e sotmja, por e quajtura “etnike”, njihet si e vetmja krahinë, e tëra e besimit katolik. Rrallë e tek mund të gjesh në ndonjë fshat skajor të saj për kufi me Matin e Dibrën disa fise të fesë myslimane. Për studiuesit e huaj, që para dhjetëra dekadash, kjo krahinë ka përbërë një lëndë të çmuar në shkrimet, udhëpërshkrimet dhe studimet e tyre, madje duke e përcaktuar si një “botë të çuditshme” që ia vlen të vihet në vëmendjen e dijetarëve dhe qeveritarëve të Evropës.

Në librin e tij “Toka e katedraleve”, studiuesi i njohur vendas Ndue Dedaj, përmes dëshmive të mbledhura me kujdes ndër studime të huajsh, i shquan mirditasit me frazën e abat Doçit si “katolikë të vërtetë e mbrojtës të fesë të tyre duke qëndruar të pathyeshëm në besimin katolik përkundër përpjekjeve bizantine, sllave, otomane”. Në shtypin e viteve ’30 shkruhej se “Mirdita asht ma e zgjedhmja pjesë e Shqypnisë Katolike”, tokë katedralesh historike të një rëndësie të veçantë për mbarë katolicizmin shqiptar e më tej. Faik Konica i çmonte shumë priftërinjtë katolikë shqiptarë që predikojnë shqip, ua mësojnë shqip fenë njerëzve të dielën në mes të meshës e këndojnë ungjillin e javës shqip dhe lutjet i bëjnë shqip dhe sidomos ata mirditas, duke nënvizuar se këto punë duheshin bërë shqip edhe nga shqiptarët e besimeve të tjera. Edhe Sami Frashëri i ka vlerësuar mirditasit si “të krishterë katolikë, burra besnikë dhe trima”.

Ka dhe një fakt tjetër shumë domethënës, klerikët e famullive dhe Abacive të Mirditës qenë jo vetëm misionarë apostolikë të katolicizmit, po dhe hulumtues të zellshëm të vlerave arkeologjike, historike, etnologjike, folklorike, gjuhësore të trevës. Institucionet e kultit ku ata shërbyen mes një populli me sakrifica të çfarëdollojshme qenë jo vetëm tempuj të besimit, por u shndërruan dhe në tempuj të dijes, shkencës, kulturës, letërsisë etj. Në famullitë e largëta të maleve mes librave liturgjikë, Biblës, ungjijve dhe kanonikëve fetarë gjeje abetare, gramatika e fjalorë të shqipes, dorëshkrime për të drejtën dokësore, folklorin etj. Shumë prej mësuesve të shkollave shqipe të krahinës ishin priftërinj, ata shpinin përpara traditën e shquar që e kishte zanafillën me Gjon Gazullin, Pal Ëngjëllin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Lekë Matrangën e Pjetër Bogdanin. Mirdita ka qenë vendi ku agresioni turqizues i shqiptarëve është përballuar me penë e pushkë. Nëse dhuna otomane në dy shekujt e parë të sundimit e shpërbëri unitetin e Dukagjinasve, nuk e bëri dot me Mirditën, mirditasit nuk e pranuan kundrejt çdo lloj çmimi sistemin e timareve apo ndërrimin e besimit. Ata i shpëtoj në një farë mënyre edhe aparati vetëqeverisës i tyre, por dhe konstitucioni shpirtëror i tyre. Paqja në mes “ishullit katolik-Mirditë” dhe perandorisë osmane nuk u vendos asnjëherë, ndoshta vetëm kompromise pati. Sheriati turk asnjëherë nuk e zëvendësoj Kanunin e Maleve, edhe pse gjatë sundimit turk kisha katolike kaloj privacione të panumërta, u dogj dhe u masakrua. Por edhe pse pas pushtimit turk ishin shkatërruar rreth 30 seli ipeshkvore dhe vrarë e masakruar dhjetëra priftërinj e rregulltarë dhe ishte arritur në islamizimin e padëshirë të dy të tretave të popullsisë shqiptare, përkundër dëshirës së tyre, asnjëherë nuk u arrit në luftë fetare në mes njëri tjetrit, pikërisht për shkak të kuptimit historik dhe tolerancës ndër shqiptarë. Ndaj dhe Konica vinte në dukje se “shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe mbase ky është i vetmi vend ku nuk ka pasur luftëra fetare”.Studiuesi Dedaj sjell sërish një tablo kronikane shumë interesante të Mirditës së gjysmës së shekullit të XIX, për të parë sesi parimet e Turqisë për të penguar përparimin dhe konkurrimin kulturor të popujve të krishterë zhvirgjëroheshin në realitetin e ashpër të Mirditës së paeupur.

…Në vitin 1852, kapelan i ushtrive të Mirditës ishte prifti i Fanit Dom Nikoll Shaluri dhe më pas Dom Nikoll Bjanku. Më 1857-ën, princi Bib Doda do të siguronte statusin e pashait të parë tëkrishterë. Në vitin 1859, ndërsa ushtarët turq vijonin plaçkitjet e kishave dhe thyerjen e kryqeve, besimtarët mirditas të mbështetur nga Austri Hungaria përuronin disa kisha të rrënuara. Më 1862-shin udhëheqës të Kryengritjes së Mirditës ishin klerikët Gaspër Krasniqi dhe P. Dodmasej. Më 1862 valiu i Shkodrës E. Pasha ndodhej vazhdimisht në marrëdhënie të këqija me malësorët, brenda vitit 1873 në Shkodër do të ndërroheshin 5 valinj. I pesti, Shefqet Pasha (për herë të dytë në atë post) ndërmerr një ekspeditë ndëshkimore ndaj Mirditës, pasi kjo nuk i bindej dhe duke bërë zakonin e vjetër nuk i paguante taksat. Lumi i Kirit kishte shtuar shumë dhe trupat ushtarake nuk i kalonin dot ujërat e turbullta. Po zemërimi i valiut Shefqet ishte më i papërmbajtur se ai i lumit të rrëmbyer. Për t’ua provuar trupave se lumi kalohej por ato ishin frikacakë u hodh vetë mes dallgëve dhe mbeti aty. Vetëm atëherë zemërimi i tij me Mirditën u shua. Qeverisë së rënë në zi iu desh të kurorëzonte valiun e gjashtë të Shkdorës brenda një viti. Nga ana tjetër mund të sillen dhe disa të dhëna shumë sinjifikative në fillim të viteve ’30 kur kisha shqiptare qe e organizuar në 6 dioqeza, kryeipeshkvia e Shkodrës njëlloj kryeqyteti i krishtërimit shqiptar me 10 mijë katolikë, 29 famulli dhe 30 meshtarë; kryeipeshkvia e Durrësit, ipeshkvia e Sapës, e Pultit, e Lezhës dhe Abacia Nullius e Mirditës me varësi të drejtpërdrejtë në Vatikan. Abacia numëronte rreth 16 mijë katolikë, 16 famulli dhe 13 meshtarë.Por Mirdita si qëmoti shquhet për tolerancë fetare të jashtëzakonshme, këtë e tregon më së miri edhe prania e dy besimeve brenda të njëjtës familje në disa rajone të saj si selitë e gjetkë, apo kumaritë në familjet e dy besimeve. Përgjithësisht, besimtari mirditas ishte i kultivuar në ritet dhe kremtet fetare, duke mos shfaqur zell të tepruar dhe aq më pak fanatizëm. Pikërisht te mungesa e këtij zelli dhe fanatizmi të tepruar duhet kërkuar dhe mënyra e të sjellurit të sotëm me besimin fetar katolik te mirditasi i kohëve moderne, sepse besimi nuk shprehet në sa kryqe rrokaqiejsh mund të ngresh nëpër male, për më tepër, kur dashje pa dashje, përzihet dhe ngacmimi i ndjenjës fetare të tjetrit. Simboli multifetar i ngritur në hyrje të Mirditës, flet shumë për virtytin e bashkëjetesës në këto 28 mijë kilometra katrorë të pakta që kemi nën qiellin ku jetojmë, më së pari si shqiptarë.

Gjergj Marku

Reviews

( 0 )
based on 0 reviews
Quality
( 0 )
Location
( 0 )
Service
( 0 )
Prices
( 0 )
Ambiance
( 0 )

    There are no reviews yet.